Jo shumë vite më parë, koncepti i ndryshimit perceptohej si i pakuptimtë dhe i panevojshëm. Tani, në një realitet gjithnjë në ndryshim të një Shqipërie të globalizuar, ndihemi të orientuar drejt ndryshimit të pareshtur. Akoma më tepër, nëse punojmë në fushën e reklamimit.
Për të diskutuar se si reklamimi ka riformësuar artin modern të dizajnit, Drejtorja Krijuese e McCann Tirana, Flonia Vasia Gjollma ishte e ftuar në emisionin “Kohë Moderne” në RTSH. Flonia e përqendroi diskutimin e saj në atë se sa e rëndësishme është të kërkosh risi në industrinë e reklamave, veçanërisht kur bëhet fjalë për kreativën.
“Pasioni është çfarë më bëri të zgjedh ta zhvendos të ardhmen time profesionale drejt botës së reklamave. Kreativiteti dhe liria e mendimit më formojnë çdo ditë. Në një botë me ndryshime të vazhdueshme, aftësia jonë për t’u përshtatur dhe për t’u përmirësuar është mbresëlënëse; kjo është çfarë përcakton të ardhmen tonë dhe industrinë tonë. Mes inovacionit të vazhdueshëm, në ditët e sotme gjendemi përballë teknologjive të reja, dhe me aftësinë për ta përvetësuar dhe përpunuar atë siç duhet, ne mund ta riformësojmë industrinë. Unë kam ndjekur këtë karrierë duke besuar tek ndryshimi, fuqia e mendimit dhe liria për të krijuar dhe inkurajoj të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë të hyjnë në këtë industri që të bëjnë të njëjtën gjë.“
Pasardhëse e një familjeje shumë të rëndësishme në historinë e pikturës shqiptare, ajo e “da Vinci-t shqiptar”, Kolë Idromeno, drejtorja jonë krijuese rrëfeu gjithashtu se si zgjodhi një rrugë krejt të ndryshme nga ajo e paraardhësve të saj, për të ndjekur pasionin për artet pamore.