McCann Tirana krijon identitetin vizual të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Beograd 2022

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Beograd (BITEF), një ndër festivalet më të mëdha evropiane prej më shumë se gjysmë shekulli, fillon sot më 23 Shtator edicionin e 56-të me shfaqje nga Gjermania, Belgjika, Meksika, Franca, Serbia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Çdo vit festivali vjen me një identitet të ri vizual dhe një temë të re. Sivjet, slogani i zgjedhur ishte “Ne – heronjtë e punës sonë” dhe për identitetin e tij grupi I&F, partneri kreativ i BITEF për të pestin vit radhazi, hapi një konkurs të brendshëm ku përfshiheshin të gjitha agjencitë e McCann.

Propozimi kreativ fitues ishte puna e një prej Graphic Designer të McCann Tirana, Erjeta Murrja, ndërsa procesi krijues u drejtua nga Flonia Vasia, drejtore kreative.

“Që kur lexova sloganin më frymëzoi dhe e gjithë ideja nisi nga përvoja ime personale. Mamaja ime është parukiere dhe unë u frymëzova nga fakti që ajo punon shumë dhe ende e do punën e saj. Edhe në historinë më të thjeshtë njerëzore, ju gjeni frymëzim nga forca dhe qëndrueshmëria e tyre, dhe se si ato i kapërcejnë të gjitha mosmarrëveshjet. Dhe kjo është forca që kam dashur të përcjell në pamje. Përfaqëson në mënyrë simbolike që me gjithë vështirësitë që hasim, ne gjithmonë gjejmë forcën për të ecur përpara”, shpjegon Murja.

Në propozimin e saj kreativ pincat simbolizojnë një forcë madhore e cila nxitet nga sistemi apo edhe nga rrethana të pashmangshme që krijojnë sfida dhe situata të vështira të cilat shpesh çojnë në pengesa. Nëse punohet fort në tejkalimin e këtyre vështirësive, shoqëria mund të rritet, të mësojë dhe të përqafojë këtë realitet të ri që po rrit heronjtë e ditëve të sotme.

Drejtoresha Kreative Flonia Vasia u shpreh për Konferencën për Shtyp të festivalit: “Për të gjithë në McCann Tirana është një kënaqësi përtej fjalëve të përfaqësosh BITEF këtë vit. Arti është një formë e pacaktuar që shkon përtej kufijve dhe i jep formë njerëzimit. E vërteta e saj pasqyron fuqinë e brendshme që qëndron në secilin prej nesh, dhe vetë vizualja përfaqëson atë fuqi. Edhe kur shanset janë kundër nesh, ne kemi një elasticitet njerëzor admirues dhe potencialin e plotë për të kapërcyer të gjitha betejat,” përfundon Vasia.